Rreshta për Lee(per F.)
E dashur Lee, po të shkruaj shqip, në gjuhë të huaj,
se ti nuk para i do fjalët, prandaj ndoshta dhe të dua,
Por vala, kur lë gjurmë, vjen tjetra dhe e fshin prapë,
S`janë fjalë, po shkumë, trumcakë gri, hiri pagjumë,
që vatrës, në kllapi kollen varr, cicërojnë ngjirur gjak,
Gjak vellokuq nusesh, kuq si djall viçi, ushtar plumbi
i rëndë plagësh, dehur lindur dhe vdekur esëll, tamël
papirë nga gjiu i pasqyrës ciklope, shushunjës qorre,
që t`sheh, thith, t`harron ndërkaq, ku shihemi aq pak
U bë ca e s`di më sa, që s`kemi folur dhe s`jemi parë,
Nuk di më në je gjallë akoma, në këtë jetë apo përtej,
“Asgjë s`dimë”,- do të thoje ti,- “ëndrra jemi, të Tao-s”,
e do treteshe si përherë, andej nga erdhe, nëpër çart,
heshtur, vagullt, brishtaz aq sa nuk di, në je afsh, mug
apo agth; se gagaç isha edhe unë, si zi që kalëron ylli,
plug jelesh harbuar mbi brazdë, bletë që pi pjalm varri,
Seç më thosh, por s`dëgjoja dot, se isha vetë shurdhi
dhe goja, kur dehet nga gjuha dhe mpin si mjalti hojet
1.
Yjeshuarit, dritëhumburit më gjejnë zgjuar, më marrin
atje ku burojmë, pusin djep ninullash shkume që thith
gjiun e kuq, cung. Ku ti fsheh krahët e duart? Gungat?
Ëmbël musht i heshtjes ngjit butë buzët fryrë të gjumit,
ngecin aty fjalët, lehtë si luspa engjëjsh, si thinjë, mug,
Akoma s`kam humbur besën, ( Fjala s` përkthehet dot,
më mirë kur nuk e di, ma beso), akoma përthith n`Zot
heshtjen binjake, pasqyrën që harron se asgjëja s`vlen
të thuhet fare, kot është koha vetë, që Tao nuk ka gojë...
Çfarë di s`është veçse kujtim, çfarë je një ëndërr larve,
me sy prej trëndafili, hulli gjaku, dregëza përrenjsh, kuq,
kur tymi shter dritën e u hedh të hanë brengave, hijeve,
bosh ndoshta, bosh kokëposhtë, bosh i pafund honesh
së prapthi, ku ndjen se ti je fara që brof mbi dhe flatrat,
e bie si shi aty ku thith pika fundin, rrudhat ag të trajtës
që veshin vagun, lulen, mishin, tharmin, T`marr erë, më
merr, m`shpie tej, më zhdjerr, shter, kur frymë ylli ndrin
vellokuq terret, gjiun memec të pusit, me thithkat varre
Sytë kërkojnë të të shohin, të shohin vetëm kur i mbyll,
mbuluar me çarçaf borëbardhë, si e vdekur, pa frymë,
S`të bëj zë, se e di që më trembesh, po i mbyll më fort,
shtrydhet kokrra e rrushit, rrjedh qumështi gjak që deh,
si frymë kuajsh harbuar trok tok, kur ethen gishtat jele,
që ngërthejnë kalorësin dritëshkumë, po s`e kapin dot...
E ke frikë dritën, kur zbardh fshihesh shpejt, s`di se ku,
Muzgu të sjell prapë, si vala kufomën, bregut ku çapis
vetëm, me frikë se mos jam dënuar nga forcë e verbër,
që lëviz ujët, erën, dhe bën natën ditë. Kërkoj atëhere
një krahëror të butë ku të ve kokën, mbyll sytë, dëgjoj
rrahjen e një zemre tjetër, që njëlloj si imja tundet, pi,
që u epsh n`degë derisa skuqi lëngun që thithi kokrra,
idenë a shpirtin, kur u deh buza me gjak herën e parë,
E pimë atë dolli me fund, etëm dashje pa shter, pimë
kur boshi na ngërtheu ligsht gjuhën. Nuk e di se pse;
fjala ndoshta, afshi i shuar i kohës që ngrin gurë llave
më mbiu lule. Po kujt t`ia dhuroj atë? Se ti je lule vetë
2.
Të kishin qenë retë mish, gjallesat tym, zjarret femra,
që digjen eth vetëm; të ishim peshq, heshtur, sybosh,
mbytur, pa kuptim, t`ish bota pa dhe, pa eshtra, koha
lojë gjumi që s`mbaron, të mos ecja fare, t`mos flisja,
Të isha zog flakësh, yll, zhytur n`errësirë verbër, unj,
etur, do pija dhe helmin e gjiut plagëkuq, qorrit, plakut,
ngopur nga zija, bloza e djerrinave, honeve përmallur,
pa motrën e syut që thith nga sisat e pashoq të Zotit
xixat më të bardha të qumështit, maskën e pasqyrës
Ndizet sërishmi si zjarr pashuar shpresa, xixa e fundit,
Rrufetë s`kanë zot, as xixëllonjat, shkëndijat, ortekët,
Flaka që jam, që digjet s`ka hije, as pse ndrin, as dek,
Se gjaku, flaka, s`është veç, n`zjarr pi rrënjë e saj gji,
Flakë unë e flakë ti, që preken, shkrihen e epen, eth,
se mos s`shohin dot atë çka ndrijnë, sytë që s`shohin
çka mund të shohë veç tjetri. Sa më e vagullt ëndrra,
aq më e bukur. Kur tymi tretet dhe mbetet vetëm blu,
apo natën yjet dhe hëna, sytë e territ, çdo gjë hesht
paemër është gjithçka, e thjeshtë si lule, bletë kur fle
a vdes dhe mbetet ç`është, burim hiri, hëne, yjësish
shkume, kuturuje. Vjen era shpresë, freski, vese, ag
e buzësh jeshile myshku që thithin plakur shkëmbinj
të rrudhur, mpakur, vyshkur. Shushurin rrjedha në gji,
mbytem në të dhe tretem, korijeve me pallonj e drerë,
ku pi e më pinë të tjerët për t`u etur, tharë hi përsëri,
Vezë lumenjsh zjarri, damarësh errësire n`folenë gji
të dheut, që kris e derdh jashtë trumcakë binjakë gri..
3.
Këputa dhe unë lotë e mbolla lumë, ëmbëlhidhur,
për ata që janë si unë. Piva vetë nga ai ujë, herë
të sertë, herë të dashur; etja u shtua ose u shua,
Buzëjerm pastaj u enda, derisa e gjeta këtë krua,
ujëlehtë, ëndërr thuaj. Mbeta atje dhe shushurova
lutje resh :” Bëmë akull, shi, që të ngjall të tharën
gjuhë të shkretëtirës, që eth, përçart i foli botës!”
Patjetër do shihemi, asgjësë nuk i duhet besuar,
S`dimë kush do shkojë më parë, po qeshë unë,
do të pres. Lule nuk do këpus, as nuk do të puth,
veç do të pres në prag si derë. Do të marr doraz,
do të shohim dritën që na bën të shohim, Zotin,
Në qofsh ti, pritmë atje me durim are krahëhapur
kur duron korbat, zinë, dordolecin, shirat e farën,
besën e dashtit, përrallës ndoshta, jermit, që dua
të jem, ndryshe do ta kisha vrarë veten me kohë,
Në s`e bëj është shpresa, se je ti, se s`jemi kot
se dikush na pret. Ca vjet do bëjmë si do bëjmë,
kur heshtemi, mekemi, ditët që nuk kemi tjetrin...
4.
Vjen koha kur njeh më shumë të vdekur se të gjallë,
Ëndrrat vijnë e bëhen gjithnjë më të pakuptueshme,
Kujt t`ia tregosh? Pleqtë, që i lëçisnin dikur, shkuan,
Do doja dhe unë, po nuk jam fantazëm, s`tretem dot,
apo jam, nuk e kam ditur, dhe të ma thotë s`ka kush?
Vjen një kohë kur ke jetuar më shumë seç të mbetet,
Babai yt ka vdekur, yt bir është baba, e njëjta ëndërr
shikohet nga të gjithë, me fluturime, qiej e humnera,
Rrënjët e zjarreve na mbajnë lidhur burimit prej hiri,
Tym bardhëezi gjithçka, që dliret papushim nga era...
Bota jemi ne, por nuk lëvizim veten. Orbitash përjetimi
humb përsëritja kujtesën, lëshohet n`atë rrymë. S`ka gjë,
më mirë do bëhet, derisa ku lind të derdhet. Thyhet thelbi,
bërthama e bardhë njom, ngjyen paqe retinën e dritësyrit,
horizonti tkurret, mbetet veç ajo, stërkalë kohe e ngrirë,
që thur rruaza fati, djersën ballit, perlën, lotin, vesën
Të gjithë u shkruajnë vargje të dashurave, unë jo,s`jam absurd,
po Lee nuk di shqip, është e verbër, s`jeton këtu, por atëbotë,
Gishtat e saj më shohin gjallë, puthin, përkëdhelin, rrëzohen
pendëve si borë. Flasim zogjsh: “Çfarë qiejsh do rrokim sot?,
Mbulomë si re e mos më ler, humbur malleve, fjalëve në eter
t`mos shurdhem, të tjerë më bënë, kall e më kallin të tjerë"...
5.
Dje mbusha 500 vjeç, askush s`erdh të më urojë,
askujt nuk i erdhi keq. Të marrët dehen me kohë,
e pinë atë pus dhe shteren, presin që të bjerë shi,
që të pinë prapë e të dehen. Kur gjejnë një tjetër
si vetja pastaj, shihen në të, i përqeshen, binjakë
me maska pasqyrë. Gjallojnë, nuk dinë për çfarë,
derisa i fusin në arka, fshehin nën tokë kufomën,
i gënjejnë dhe atje me fjalime, sa e besojnë vetë
çka thonë, tek rrufisin dollinë e mbrame të dozës
Po rreshkemi e dashur, thahemi, pemë Krishtlindjesh,
vezë Pashkësh, ëndërruar mënjanë. Esëll na bën koha,
inçesti ynë i fshehtë me motrën, vëllanë, nënën lehonë,
atin që mbars fantazma, që jemi vetë. Të kam thënë që
derdhem poshtë nga lart, lindur dehur burimeve, pus shi
esëll, humnerave, kanalit, ujvarës, lotit? Që s` jam?
As unë, as ti. Ku fillon pika? Moti, koha është lumi,
që dikur m`pat prurë, po s`qeshë lëng, as degë e thyer,
as kufomë të mbyturi. Herë më çon atyre brigjeve ku
shkumë e fjalës zbardh baltën, i njom dertin, hallet
Edhe ca e do të hyjë marsi, qysh prej nëntorit s`ka dritë,
a thua se në qiell po djegin kufomën e Zotit të Nietzsche-s,
Hiri i tij mbulon këtë vend, rrugët, kokat e njerëzve, sytë
e zbërdhylët teutonë s`kanë det po shi; gri tulaten pëllumbat
e bebëzave atje, duke pritur pranverën, që s`dihet në do vijë,
Ekranëve engjëjt premtojnë botën tjetër, përtej mureve ndarës,
me mobilje mode, para, makina, femër dhëmbëbardhë bjonde,
e të thonë: "Merr, mos pyet, por shko edhe ti në parajsë!"
Skëterra është po aty. Betoni, xhami, zhurma, fantazmat
që nxitojnë mbyllur makinave rrëfejnë hije, ogure të liga,
S`do zgjasë më, kjo botë do prishet, si kullë lartësuar keq,
me tavanin shpuar nga oxhaqet, avionët, bombat, antenat,
që përzunë lejlekët, që kur i shohim i marrim për alienë,
Jam në gjumë e shoh makthe të frikshme, po jo, jo,thotë
spikerja e qesh në ekran pështirë. Dielli s`del më, retë vrer,
me gjak të mjerësh po shkruhen lajmet, luftërat, fjala e Zotit,
Fry o erë e merrmë tutje, atje ku s`dëgjoj, s`shoh dot! Ejani,
kalorës, Mesi, alienë a shpëtimtarë!. Bini bori, ziej o det!
Njeriu qenka përbindëshi që do dalë nga toka, djalli vetë...
Zymtë, me luspa hijesh të vrenjtura, që janë pupla resh,
ofshamash, ankthit tonë, tymit që ngjitet lart kur digjemi
në brengë të vezës, vetes. Krrokama, cicërima, a troku,
tik taku, shkrepëtima a thjesht asgjë, thyejnë enën bosh,
Guacka kris, nga brenda klith drita e na derdhet sipër,
grerëzat e arta që na thithin palcë e sëmbojnë shpirtin,
me thumba shprese, hareje, mbjellin nektar të ri aty,
njomin flatra e petale, gjuhë, qepalla, prarojnë ajrin,
ujët, pinë helmin tonë e zhyten lugjeve të padukshme
Shtrirë do të jemi, vetëm, atë çast kur na ha gjarpëri
e gjaku hidhërohet. Prag jeta, s`ka si të jetë tjetër
as vdekja. Hapet e mbyllet si derë, fryn e shfryn si erë,
Jeta është ndoshta vdekur dhe vdekja jetë. S`të kujtohet,
po s`ka ku shkon, aty është, po dhe në mos qoftë njëlloj,
s`ke nga ta dish, ndaj beson. Tendosesh në fllad si teshë,
këmishë të pushkatuari që ia lidhin sytë, pyesin dëshirën
e fundit, kujtesa është shurdhe. Ashtu këputesh në gjunjë,
si pemë, pa zhurmë. Njeriu ështe arë, mbjellur me gjumë,
Ëndërr hijeje, hije ëndërre. Çarë trungut dysh, sy binjak
që shohin njësh, djepin herë si varr, herë kufomën foshnje
Marr frymë ndaj jam, kur retë shkojnë e vinë, mos jam era?,
Jo, më thotë qielli, je arë. Krokodili dalë nga llumi qenka
nimfë, zanë, sirenë, ëngjëll; përbindëshi dhe dielli binjakë,
Veç ti e di çfarë, kush jam, në jam gjarpër apo pasqyrë haku,
në jam pëllumb apo maskë. Gishtat e tu prej hiri e dinë këtë,
si shkrumbin ku syve ndrijnë një çast thëngjijtë blu të lotëve,
pastaj shuhen. Nën mokër shtypemi si ullinj, grurë, vaj brenge,
malli për dritën na mek tek rrekemi në rrymë ku majmet i ligu,
Mbushen varret me dyll, të patreturit çohen, trembin errësirën,
ngërdheshen, kërcëllijnë dhëmbët, kanë frikë dhe e dinë mirë,
se shpresë e të mjerit është dritë e drejtë, që vonon të vijë...
6.
S`dihet kush e gjeti kufomën, nuk dihet se ku,
s`dihet nga vdiq, sa vjeç ishte, asgjë s`dihet
7.
Qerosi pa vetulla, me sytë rrumbull pa dritë në bebëz,
pret të erret, vesh cohën e bardhë pa xhepa të hënës
e më shfaqet papritur në ëndërr. Shtangem, dua të klith,
po nuk mundem. Hesht e kam frikë se mos jam ai,
Më shkelin putra, këmbë të zbathura, mbytem në vesë,
djersë, nuk marr dot frymë e sapo vdes, rilind sërish
Diku, në një botë rrugë, ku çdo hap të sjell më pranë,
rrugë e pafund që nga çdo hap zbukurohet më shumë,
rrugë tek ajo dritë që lindi sytë për të, për t`u parë,
n`tjetrin shohim vdekjen, veten, të parën, t`fundit fjalë,
tjetri je ti, ti e di kush jam, veç ti më do vërtet, ndaj
s`më lë të prek në s`di , në jam zgjuar a në gjumë
8.
Natën Lee, kur zvogëlohemi, rregjemi në shtrat,
para se lëshohem e mbytem në lumin e zi përbri,
të mendoj, besoj që je, më bëhet se e di se pse
u bëmë, pse yjet ndrijnë, pse jetojmë. Atëhere
afrohet një qengj, më rri pranë, më kullot lehtë
barin tym të mendjes, bëhet kalë, vajzë, fëmijë,
derisa kotem e shkoj, hipur n`atë shpinë të butë
prej varke, prej dore mjegulle që shkund pendë
ëndërrash pa fjalë. Kafazi hapet e del pastaj ti,
më rri mënjanë e ndërron plagën e ditës që zbardh...
Gjumin që s`më merr, krahët që mungojnë,
përqafimet bosh, ndjesinë e të qenit atëbotë,
Lind një foshnje qumështi, me sytë si arra,
lëkurë të butë, djersa kundërmon trëndafil,
pagëzuar me nektar flladi tek veson akoma
kur njomet rrënja. Një jetë do piqemi bukë,
kallinj gruri, gurë, me kokën tek tjetri,
E do mbulohemi me ura, rrasa larë nga lumi,
bardhë, si pëllumba që flenë me kokën futur
thellë në krahun prej ëndërre të engjëllit
Tringëllijnë mijëra këmborë rrezesh,
zbardhin bulëzat e para të vesëdritës,
derisa të piqet e verdhë, tharm tjetri
pranë kur piqet misri, syhapur, çartur,
Ëndrra jemi ne apo ëndrra shohim? Delet
janë atje prej bore, qumësht pinë sytë,
dehen bardhëeblu me re. Pika fundzezë,
shqiponja, aq lart sa nuk lëviz dot, këputet
papritur poshtë si puls të fikëti, shkrihen
ngjyrat, butë pjell kafeja të gjelbrën, thinj
pushin e fëmijës që bëhet burrë dheu, trumcak
që zgjohet në kllapi, kollet e cicëron gjak...
Gusha e diellit hapet, peshqit e dritës
bien, kur shkumë mbushen valët, të vdekurit
me jetë, kur çukis pjalmë e klith turbull marri,
Askush nuk më kupton, tjetrit i rrimë sot larg,
ndaj fola me vete, me valën, me dritën. Bëzama
shpoi flluska e re, pikat si fara mbi tokë mbinë,
Do gurgulloja më mirë, sikur të kisha qenë burim,
po jam veç zog, i gjorë dhe i lirë, që këndon kot
Të kesh dikë, duash, dëshminë se s`je fare kot,
dikë ku të lëshohesh përgjithmonë, veç të jesh
pendë krahëve të tij fluturimesh të panjohura,
Bashkë në parajsë dhe ferr, të tjerë na lindin,
pa ta s`do ishim dot, të tjerë na duan, kallin,
Frymën tënde të nxehtë në qafë të ndjesh, kur
fryn erërat e tua me anije, stuhi dhe xhinde,
Të bëhesh si dikur, harrosh kohën e lakmosh
mishkuq dhe bebëzat e gjakut, thithka, bark,
duar të paturp, buzë që s`dinë më ç`të bëjnë,
si dashja që vijon kur mbetesh zbrazur, dallgë
që pushton bregun, e mund dhe i largohet prapë
9.
Çarçafët janë rrudhur, lagur,
Nga lotët, sperma, gjaku
Brenda rrjedh prej 40 vjetësh si lumë,
Më të shumtën vetëm; nganjëherë
rrëke, përrenj, lumenj të tjerë a shira
më mbushin, gufojnë, përmbys bregun,
derdhem në fushë e njom farën e dheun
Lulja, pema, bisha të pinë pastaj aty,
çelen, harlisen, njomin gjuhët e thara,
Bota më thith si shushunjë, zbehem
si dritë muzgu që rëndon qepallat,
Mendja, si burri që kthehet nga ara,
këputet mënjanë zjarrit të natës, yllit,
përgjumet, mbytet ëmbël dhe tretet,
Mes djepit dhe varrit rrjedh, shushuroj
fjalë, rrëfenja, trisht e lumt, shkoj e shkoj
Më pe si pija sisë, duart hutuar diku,
kokëunjur mbi pellgun e qumështit,
si qen gjuha lëpinte syve vështrimin,
lagur, lëshuar rrjedhës që përvëlon
shpresën, dheut që pjek era...
Dielli është vezë Lee, zogu i artë që fle,
zhytur në dritë pret të dalë tej, të çajë
lëvozhgën, të këlthasë jetë, jetë të re,
të vdekurit të zgjohen, të këlthasë që
asgjë s`qe kot, çdo hap mbolli kohë,
gjurmë rrugës, veç kur u shkel sërish...
Pushi i verdhë prej engjëlli me grerëza drite,
që thithin të bardhë, qumësht të gjallë, shndrin
buzëqeshje flake, buzëqeshje fushash gruri,
që ia çel buzët era, ia tund djepin bukës,
Kallinj flokësh lumenjsh, që ia zgjidh, lidh,
nyjet era, buzët e brigjeve epen tek puthin
njëri tjetrin përmbys në ujë, tharmi i borës
i deh me kohë të bardhë retine, çarçafësh,
qumështi, fare. Era është rrudhë e dashur,
brazdë çasti e hapit, binjakut, që e bën rrugë
duke e shkelur përsëdyti, mbjell pika të gjalla
Shkon e shkon asaj rruge si anije me pendë
bore gjinjve të tu, zhytur n`atë qumësht detari,
embrioni pi dhe dehet, humbet kujtesën, thyen
koracën me sqep, këlthet dhe s`di më ç`është,
por ndjek verbër erën si krah, në atë humbur,
vezë perëndie, kuq ndoshta si nuse, me zogj
zjarri që flenë brenda, zhytur në lëng terresh,
Apo të kaltra, qielltym, mjegull pulëbardhash,
dehur nga shkuma, që këlthasin turbull kumte,
përmbytjesh, ringjalljesh e të fshehta valësh
Me vezë lulesh, ku zhytur në pjalm fle vesa,
perla e bardhë e qiellit, loti i ri, pjella e dritës,
vezë njeriu, me guackë lëkure, dhe të çara
nga vigjëlon syu, kur e ngjyen fllad shpresa
që shkon, hap të reja rrugë detrave të qiejve,
që jetojnë shkurt, si vetëtima, gjurmë krahësh
kapërthyer barkmalit, me gërxhe lëvozhgash,
që tërmeti i çan, i thyen, këlyshin nxjerr jashtë,
që do të lozë, lëpihet , njeriun e vogël symadh
Perëndia në është, është fëmijë, Lee,
që s`ka pse të rritet, fëmijë prej atij zjarri,
prej atij syu, që sheh gjithçka, edhe ne tani
tek i falemi tjetrit. Në engjëjt janë fëmijë,
jemi dhe ne të tillë; jemi ne e djall nuk ka,
veç të mjerë që s`patën fat të duhen nga
a të duan Zotin, se Zoti është dasht,
thotë Gjoni, mbretëria e tij mes nesh,
"天哪 请 无事生非 “
10.
Zgjohem, jashtë, asnjë (e) re,
Përballë, nën çati, ca zogj që flenë,
Më ngjeth mëdyshja në jam zgjuar a jo
vërtet, vërtet...